Zhoze, përse gjithnjë merresh me kolegët e tu!?

Fiton apo humbet, ai “fyellit i bie në një vrimë”. Zhoze Murinjo dhe respekti për kolegët nuk kanë asnjë lidhje, ndërsa trajneri i Mançester Junajtidit bëri sërish komente ofenduese për teknikët e tjerë të Premier Ligës. i pyetur sesi qe e mundur që Junajtidi u mposht 0-3 nga Totenhemi në “Old Traford”, portugezi iu lëshua njërit prej gazetarëve.

“Ju thoni 0-3, – u shpreh ai, duke ngritur lart 3 gishta të dorës së djathtë, – por, a e dini se çfarë do të thonë këta tre gishta? Do të thotë se unë kam fituar 3 tituj të Premier Ligës me Çelsin, më shumë se 19 trajnerët e tjerë të kampionatit së bashku. Unë 3, ata 2. Prandaj, respekt, respekt, respekt”.

Fjalët nuk kanë shumë nevojë për koment. Sër Aleks Fergusoni, që fitoi 49 trofe në karrierë, nuk u dëgjua ndonjëherë të thotë gjëra të tilla, ndërsa Murinjo nuk e ka problem. Padyshim fitues i madh (25 trofe në total në karrierë), ai mbetet antipatik, ndërsa nuk dihet nëse do t’ia dalë dot mbanë në “Old Traford”, apo do të shkarkohet deri në Krishtlindje.

Sfidanti.al