Ju mbahen mend kohët kur FSHF ishte kryefjalë në kronikat e lajmeve të gjyqësorit për akuzat se kishte mbështetur Tiranën duke i transferuar para edhe pse llogaritë e klubit ishin të bllokuara për një çështje të vjetër? Po ato kohë kur presidenca aktuale e klubit mbështeste jo publikisht por pa kushte administratën aktuale të FSHF në betejën për zgjedhjet presidenciale? Tashmë duket një kohë tjetër, shumë e largët pasi që prej fundit të sezonit të kaluar, klubi bardheblu po përballet me probleme të mëdha që sigurisht e kanë zanafillën nga ngërçi financiar. Sot FSHF nuk lëviz as gishtin që minimalisht edhe për sy e faqe duhet ta bëjë si detyrim moral ndaj klubit më të suksesshëm në kampionatit shqiptar.
Nga Vlora në Korçë e Lushnje, Tirana vetëm në Tiranë që nuk luan duke i detyruar tifozët e saj të bredhin në dimensione gjeografike ekstreme çdo javë. Ndoshta frustrimi i tyre buron pikërisht nga ecejakët sa nga jugu në veri dhe ato gjeste te shëmtuara në Myzeqe ndaj lojtarëve të Vllaznisë e kanë zanafillën pikërisht nga ky zemërim dhe problemet e shumta të akumuluara ndër vite. Në fund të ditës, peshën më të madhe tashmë do ta mbajë skuadra dhe klubi e marka e Tiranës është më në rrezik se kurrë. Një sezon pa tifozët në krah është shumë për imazhin, arkat dhe aspektin sportiv e ky zgjim i hidhur e në realitet pas gjumit të dashurisë me ëndrra FSHF-je është i tmerrshëm për klubin bardheblu.