Xavi Hernandez ka nisur zyrtarisht aventurën e tij në stolin e Holandës, me trajnerin spanjoll që kërkon të ndërtojë një skuadër me identitet të qartë, e aftë të dominojë ndeshjet dhe të konkurrojë për trofe. Ish-mesfushori dhe trajneri i Barcelonës është prezantuar si tekniku i ri i “Tulipanëve”, duke marrë përsipër një sfidë të re pas eksperiencës në klubin katalanas, ku drejtoi skuadrën në 143 ndeshje dhe fitoi një titull të LaLigas dhe një Superkupë të Spanjës. Në prezantimin e tij, Xavi bëri të qartë filozofinë që dëshiron të ndërtojë te Holanda, duke kërkuar një ekip që të ketë kontrollin e lojës, të dominojë kundërshtarët dhe të luajë me personalitet. “Dua të falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur. Do të përpiqem të jap maksimumin dhe të mos zhgënjej pritshmëritë. Dua një Kombëtare me stilin e saj të lojës, të aftë të dominojë ndeshjet dhe të luajë me vendosmëri e uri për sukses. Do të na duhet kohë, por objektivat janë të qartë”, deklaroi Xavi. Trajneri spanjoll vlerësoi edhe punën e paraardhësve të tij, Louis van Gaal dhe Ronald Koeman, por theksoi se fokusi i tij do të jetë te e ardhmja. “Kam respekt maksimal për atë që kanë bërë Van Gaal dhe Koeman. Unë dua të përqendrohem te puna ime dhe te e ardhmja. Tashmë po monitorojmë lojtarët që mund të grumbullohen”, tha tekniku i ri, i cili nuk e fshehu ambicien për të synuar trofe me Holandën dhe për të rikthyer përfaqësuesen në elitën e futbollit europian dhe botëror.

