Vllaznia pëlqen Bismark

Kanë mjaftuar vetëm 86 minuta lojë, që në Shkodër të gjithë të “dashurohen” me Çarls Bismark. Sulmuesi që iu bashkua Vllaznisë vetëm para 4 ditësh në formën e huazimit nga skuadra e Skënderbeut, u prezantua menjëherë si titullar në sfidën e parë të turit të dytë ndaj Vikingurin. Dhe ganezi nuk zhgënjeu aspak, duke treguar shumë nga potenciali dhe cilësitë e tij, ku vuri shumë në vështirësi mbrojtjen e fortë të islandezëve. 24vjeçari u imponua me fizikun e tij, duke fituar çdo duel ndaj kundërshtarëve dhe po ashtu duke krijuar një dyshe të fortë sulmuese së bashku me Balajn. Po ashtu, shtatlarti pati edhe 2-3 mundësi për të shënuar, por vetëm ndërhyrjet vendimtare të portierit Jonson i mohuan gëzimin e golit ishsulmuesit të CSKA-së Sofie. Në minutën e 86-të, Bismark u zëvendësua duke lënë fushën e lojës për Delajn. Por, performanca e tij u vlerësua jashtëzakonisht nga të gjithë. Ishin tifozët e pranishëm në shkallët e “Loro Boriçit” të cilët i dhuruan një “det” duartrokitjesh ganezit. Dhe menjëherë pas përfundimit të takimit, është kërkuar që Bismark të mbahet për gjithë sezonin në Shkodër dhe jo vetëm për ndeshjet e Europës. Kjo pasi sulmuesi pas përfundimit të dueleve europiane të shkodranëve, do kthehet në Korçë. Sepse e tillë është marrëveshja mes dy klubeve, që shërbimet e Bismarkut për Vllazninë të jenë vetëm për Conference League.