Pas humbjes 0-2 ndaj Dinamos, atmosfera te Vllaznia nuk është më ajo e javëve të kaluara. Kuqeblutë janë rikthyer këtë fillim jave në stërvitje për të nisur përgatitjet për sfidën e radhës ndaj Egnatias, por entuziazmi që ka shoqëruar skuadrën gjatë gjithë sezonit duket se ka pësuar një goditje të fortë. Në ambientin shkodran ndihet qartë pesha e humbjes së fundit, sidomos në një moment kaq vendimtar të kampionatit.
Situata tashmë është komplikuar ndjeshëm për objektivin madhor të sezonit. Gara për titullin është bërë edhe më e fortë dhe kuqeblutë nuk kanë më hapësira për gabime. Pikërisht për këtë arsye, në kampin shkodran kërkohet një reagim i menjëhershëm, jo vetëm në aspektin teknik, por mbi të gjitha në atë psikologjik. Trajneri dhe stafi teknik pritet të punojnë fort për të rikthyer besimin te grupi dhe për të larguar presionin që ka sjellë humbja e fundit. Sfida ndaj Egnatias shihet tashmë si një ndeshje kyçe për vazhdimësinë e sezonit. Përballë një kundërshtari direkt dhe mjaft të fortë, Vllaznia do të duhet të tregojë karakter dhe forcë reagimi.
sfidanti.al

