Veselinoviç: Egnatia është kampione, ne synojmë të shpallemi kampionë

Në kuadër të javës së 7-të të “Abissnet Superiore”, Partizani do të udhëtojë drejt Rrogozhinës ku e pret sfida me Egnatian duke nisur nga ora 16:00 dhe që do të vijë për shikuesit në ekranin e RTSH. Në prag të kësaj sfide, trajneri i të kuqve, Veselinoviç ka dalë në një konferencë për shtyp ku ka shpalosur objektivat.

Partizani-Egnatia, kryendeshja e javës…   

“Tashmë çdo ndeshje është një derbi si Dinamo, Tirana apo Egnatia. E kam thënë shpesh kjo është diçka shumë pozitive.  Klubet dhe skuadrat këtë sezon janë të forta dhe çdo pikë që fitohet ka shumë vlera. Do të përballemi me një skuadër që ka mjaft kualitet. Prej një muaji që jam këtu, e kam ndjekur skuadrën e Egnatias, kanë disa kohë që luajnë së bashku, kompaktë, me konfidencë, kanë atë sistemin e tyre automatik të lojës. Përballë kemi një skuadër me mjaft kualitete”.

Çfarë pritet të ndryshojë Partizani në ndeshjen me Egnatian?

“Çdo skuadër ka dobësitë dhe pikët e forta, janë të ndryshme në çdo ndeshje, si Tirana dhe Egnatia janë të forta por të ndryshme në idetë e tyre. Duhet ta përgatisim këtë ndeshje si gjithmonë, pasi kemi një kundërshtar të fortë. Koha dhe ajo që tregon fusha e lojës mund të na sjellë surpriza, duhet të jemi një skuadër e përqëndruar për 90 minuta për ti bërë ballë Egnatias”.

Pas 3 barazimeve ka ardhur koha për të marrë fitoren.

“Sigurisht që ne dëshirojmë që në çdo ndeshje të marrim 3 pikë. Një gjë është e sigurtë që ne në çdo ndeshje shkojmë për të marrë 3 pikë”.

Si është gjendja e skuadrës në prag të takimit me Egnatian?

“Në ndeshjen ndaj Tiranës na u dëmtua Buxhelaj. Edhe në ndeshjet e mëparshme kemi patur disa lojtarë me probleme dëmtimesh. Problemet fizike janë normale pasi në 15 ditë kemi zhvilluar 4 ndeshje, por do të rikuperohemi dhe do të kemi kohën e duhur për tu përgatitur për ndeshjen e ardhshme. Unë e di që doni t’ju jap emrat të cilët do të jenë gati por s’mundem. Dua të them diçka, jam duke punuar me njerëz fantastikë dhe e shijoj çdo ditë në fushë me lojtarët e mi. Është gjithmonë kënaqësi të punosh me lojtarë të rinj”.

Përballeni për të parën herë me Egnatian në këtë sezon, sa e motivuar është skuadra?

“Çdo ndeshje është një histori e re, disa futbollistë ikin, skuadrat kanë pasur ndryshime, ato mund të humbasin energji. Mund të luash me një skaudër 10 herë dhe çdo përballje ndryshon nga njëra-tjetra. Nuk duhet të mendojmë për çfarë ka kaluar por për atë që na pret nesër. Egnatia është kampione, ne po ashtu synojmë të shpallemi kampion, por dhe shumë skuadra mund ta fitojnë këtë vit titullin, rivaliteti është i madh dhe kjo është një gjë e mirë për kampionatin shqiptar.

Ne kemi potencial dhe forcë për të shfaqur, por nëse analizojmë çdo detaj është gjithçka që duhet t’ia shpjegoj për ecurinë e skuadrës. Nëse një lojtar i mirë largohet disa të tjerë marrin pozicione të reja, e gjithë kjo është një proçes që synojmë ta përmirësojmë çdo ditë.

Kërkoj që në fushë të kem një skuadër kompakte dhe në një linjë. Skuadra në disa momente të ndryshme të lojës nuk është në ritmin që ne kërkojmë , por kjo është puna ime që ta përmirësoj. Kemi respekt për çdo rival, për mua është e rëndësishme që djemtë e mi të luajnë së bashku. Ka disa ndeshje që mund t’i fitosh dhe me fat, por unë kërkoj që përpos rezultatit ne të kemi edhe vazhdimësi në lojë ndeshje pas ndeshje. Mesazhi im është që duhet vetëm punë, punë, punë”.

sfidanti.al