Në një roman të Kadaresë (besohet “Dimri i vetmisë së madhe”) thuhet një barcaletë, “çfarë do të dilte nga martesa e një gjarpëri me një iriq? Dy metra tel me gjemba”. Sot pyetet, se çfarë mund të dalë nga “martesa” e Usain Boltit me Borusian e Dortmundit apo Mançester Junajtidin? Ish-kampioni më i madh i sprintit në të gjitha kohët, realisht, nuk ka një vlerë të jashtëzakonshme në treg (revista Forbs thotë se fiton 60 milionë euro në vit, i 32-ti në listën e sportit), por gjithçka mund të ndryshonte nëse ai bënte një “kryqëzim” me futbollin.
Risi të tilla, të papara në të kaluarën, zgjojnë interesin dhe kërshërinë e publikut, sidomos të publikut të sotëm botëror ku mbizotëron dëshira për “kulinari të sofistikuar”. E tregoi ndeshja-kryq mes boksit dhe arteve të përziera marciale (MMA), Flojd Mejuedhër-Konor Mekgregor, që të gjithë e dinin se ishte “show”, dhe të gjithë nuk i rezistuan dëshirës për ta ndjekur.
Bolti do të ketë një provë në Dortmund në mars, dhe ai shpreson ta fitojë, e të nisë një karrierë futbollisti profesionist në moshën 31-vjeçare. Fizikisht dhe atletikisht nuk diskutohet, por duhet parë në “specialitetet” e profesionit. Ëndrra e xhamajkanit mbetet një kontratë me Mançester Junajtidin, por çfarë mendon Zhoze Murinjo?
Sfidanti.al