Dorëheqja e Skënder Gegës ka sjellë një revoltë të mirëfilltë te tifozët e Partizanit, të cilët kanë mbushur rrjetet sociale me akuza ndaj klubit dhe drejtuesve të tij për mënyrën se si po veprohet me të kuqtë.
Grupimi “Baza 46”, ka dalë me një reagim, ku i është kundërvënë emrave të veçantë brenda organikës së klubit, me akuza për përfitime personale në dëm të të kuqve.
Tifogrupi ka përmendur emrin e Arbër Abilaliajt në veçanti duke e akuzuar se ka marrë e larguar lojtarë veç për përfitime personale sipas marrëveshjeve të fshehta që ai ka bërë me lojtarë e agjentë lojtarësh.
Reagimi:
Duke marrë shkas nga largimi i profesor Skënder Gegës (pa u zgjatur shumë te figura e nderuar dhe e respektuar e tij në futbollin shqiptar dhe në veçanti te Partizani që edhe kjo deklaratë të mos duket thjesht e ndikuar emocionalisht) besoj se ka ardhur momenti që disa gjëra t’i themi akoma më qartë për tifozerinë tonë dhe opinionin publik meqenëse edhe reagimet tona të shkuara (të kujdesshme për mos të rritur presionin gjatë rrugës për arritjen e objektivave) kanë shkuar në vesh të shurdhët. Pas shpalljes kampion në sezonin 2022-2023 Partizani përsëri atëherë kur duhet të niste një cikël shkarkoi trajnerin Kolela dhe drejtorin Marini, kështu e parë e arsyeshme nga drejtuesit e klubit për rritjen më tej të Partizanit. Drejtor emërohet Arbër Abilaliaj, deri atë kohë sipas informacioneve tona pjesë e një kompanie menaxhimi lojtarësh. Këshilltar në radhet e klubit të kuq në këtë periudhë ka qenë dhe vazhdon të jetë edhe Pano Xhixho.
sfidanti.al