Ujkani largohet nga futbolli i luajtur

Porteri i Kosovës, Samir Ujkani është tërhequr nga futbolli aktiv në moshën 35-vjeçare. Vendimin e tij për t’i dhënë fund karrierës si profesionist, të cilën e nisi në vitin 2007, Ujkani e bëri të ditur të mërkurën në mbrëmje. Gjatë karrierës së tij, Ujkani ka luajtur për skuadrat si Palermo, Novara, Kievo, Xhenoa, Latina, Piza, Kremonese, Rizespori, Torino dhe Empoli, pjesë e të cilit ai ishte edicionin e fundit. Me fanellën e përfaqësueses së Kosovës, Ujkani ka luajtur 35 ndeshjes, teksa iu bashkua “Dardanëve” menjëherë pas anëtarësimit të FIFA dhe UEFA. Ndërkohë, më herët, Ujkani ka qenë pjesë e Kombëtares së Shqipërisë, për të cilën ka luajtur në 20 ndeshje.

“Ashtu sikur për gjithçka tjetër në jetë, ka ardhur koha që të them lamtumirë”, – ka shkruar Ujkani në një postim në profilin e tij në Instagram. “Nuk jam as i mërzitur e as i trishtuar, në fakt ndihem shumë i qetë dhe shikoj me krenari të jashtëzakonshme rrugëtimin tim futbollistik dhe karrierën time, duke qenë i vetëdijshëm se kam qenë me shumë fat që kam përjetuar një eksperiencë unike dhe të mrekullueshme”, ka theksuar 35-vjeçari në postimin e tij të bërë në 3 gjuhë, shqip, anglisht e italisht, duke vijuar: “Ky rrugëtim më ka dhënë mundësinë të njoh shumë njerëz, pothuajse në çdo qytet ku kam jetuar dhe kujtime të pashlyeshme për çdo fanellë që e kam mbajtur me krenari dhe që do të jenë pjesë e rëndësishme e jetës sime”.

Ai gjithashtu, ka falënderuar të gjitha skuadrat që ka luajtur gjatë karrierës, duke mos lënë anash as Kosovën e Shqipërinë, duke theksuar: “Faleminderit për të gjithë tifozët, që janë bukuria, kuptimi dhe japin shpirt këtij sporti të mrekullueshëm”. Në mbyllje, ai ka shkruar se çdo fund e ka një fillim të ri, duke shtuar se së shpejti do ta bëjë të ditur.

sfidanti.al