Kështu në mbrojtje janë provuar treshja Casale- Romagnoli-Gila, ndërsa në mesfushë në krah Tudor ka provuar Pedron majtas dhe Lazzarin në të djathtë, me dyshen Kamada-Cataldi në qendër, por vetëm përkohësisht, pasi pritet që titullarë të luajnë Guendozi dhe Vecino, të cilët njohim më mirë këtë rreshtim. Vlen të theksohet se me Casalen Tudor ka punuar te Verona dy vite më parë dhe me Guendozi te Marseille sezonin e kaluar, ndaj të dy këta lojtarë pritet të përshtaten më shpejt dhe të rreshtohen si titullarë. Pas sulmuesve Tudor ka provuar dyshen Felipe Andersson dhe Luis Alberto, ndërsa në majë të sulmit janë alternuar Immobile dhe Castellanos, që do të garojnë për një vend si titullar në fushë. Në pritje të rikthimit të futbollistëve të angazhuar me kombëtaret përkatëse, Tudor e ka bërë të qartë idenë e tij dhe Lazio e re do të luajë me 3-4-2-1, teksa ky rreshtim mund të penalizojë jo pak mbrojtësin shqiptar Elseid Hysaj, që edhe kur kuqezinjtë drejtoheshin nga Edi Reja ka treguar se nuk përshtatet si duhet me këtë skemë. Nën drejtimin e Sarrit, shqiptari aktivizohej shpesh, si në të majtë, ashtu edhe në të djathtë të mbrojtjes me 4, por te rreshtimi me tre mbetet për t’u parë sa do të arrijë të përshtatet. Vetë Tudor është shfaqur mjaft i kënaqur me cilësinë që ka gjetur në grupin e bardhekaltërve dhe ka vënë theksin te puna për të përçuar shpejt idetë e tij, në mënyrë që skuadra të jetë gati për debutimin më 30 mars ndaj Juventusit në “Olimpico”.
sfidanti.al