Tronditet Trabzonspori, Trajneri i Muçit dhe Salah jep dorëheqjen

Fatih Tekke ka dhënë dorëheqjen nga posti i trajnerit të Trabzonsporit, menjëherë pas humbjes së rëndë 0-4 në transfertë ndaj Ferencvarosit, rezultat që i kushtoi klubit turk eliminimin nga faza “play-off” e Europa League. Tekke e bëri të ditur vendimin në një intervistë televizive menjëherë pas ndeshjes, duke marrë përsipër përgjegjësinë për disfatën. “Kishim një natë shumë të trishtuar. Sigurisht, arsyeja jam unë dhe ekipi im. Kjo ishte një natë e dhimbshme për klubin dhe vendin tonë”, deklaroi trajneri turk.

Tekke theksoi se ndeshja po shkonte në drejtimin e duhur deri në momentin kur skuadra mbeti me një lojtar më pak, por situata ndryshoi plotësisht pas kartonit të kuq. “Dukej sikur do të ishte një ndeshje pozitive deri te kartoni i kuq. Në fund nuk arritëm të kualifikoheshim në Europa League. Për 18 muaj, unë dhe ekipi im kemi punuar ditë e natë, duke dhënë gjithçka për të gjetur mënyra për ta përmirësuar skuadrën. Jam i bindur se ekipi do të jetë shumë më i mirë. Nuk dua ta zgjas. Nga ky moment jap dorëheqjen pas 18 muajsh në këtë detyrë”, u shpreh ai.