Toni Kroos vendos të luajë sërish futboll

Karriera profesionale mund të ketë përfunduar, por Toni Kroos do të rikthehet të luajë futboll. Ish-reprezentuesi gjerman do të marrë pjesë në edicionin e ardhshëm të ‘Icon League’, një ligë e futbollit në fusha të vogla, e themeluar nga ish-lojtari i Real Madridit dhe ‘streameri’ Elias Nerlich. Sezoni i dytë fillon më 10 mars dhe Kroos është një nga ‘yjet’ që do të marrë pjesë.

‘Icon League’ e konfirmoi lajmin në Instagram me një fotografi të Kroos dhe mbishkrimin: “Një vallëzim tjetër.” Sezoni i ri i ‘Icon League’ do të ketë sërish emra të njohur, të cilët do të drejtojnë ekipet si kapitenë.

Ndër ta përfshihen Robert Andrich dhe Antonio Rüdiger, ish-‘yjet’ e Bayernit Franck Ribéry dhe David Alaba, ‘ylli’ i hokejit në akull, Leon Draisaitl, dhe komentatori Wolff Fuss. Gjithashtu, Felix Kroos, vëllai i Toni Kroos, do të jetë pjesë e turneut. Në vitin e tij të fundit si futbollist profesionist, Toni Kroos pati një sezon të paharrueshëm.

Ai fitoi La Liga-n dhe Superkupën e Spanjës me Real Madridin, si dhe ngriti për herë të gjashtë në karrierë UEFA Champions League – pesë herë me Real Madridin dhe një herë me Bayern Munich. Mesfushori gjerman festoi gjithashtu rikthimin e tij në kombëtaren gjermane, por karriera e tij përfundoi në mënyrë të hidhur me eliminimin në çerekfinalet e Euro 2024, i cili u zhvillua në Gjermani, pas humbjes 2-1 ndaj Spanjës në kohën shtesë.

sfidanti.al