Tomas Myleri, rekordi i ndeshjeve dhe shiriti i kapitenit tek Bajerni!

Nëse do të pyesësh këdo në botë që e njeh futbollin, që të të përmendë një emër nga Bajerni i Mynihut, me shumë mundësi do të marrë përgjigjen Tomas Myler. Ashtu si Manuel Nojeri, apo si dikur Filip Lahmi e Bastian Shvajnshtajgeri, sulmuesi është një nga simbolet e klubit bavarez, dhe madje mund t’i afrohet një rekordi. Dakord, ai nuk mund të arrijë golat e Gerd Mylerit, madje as ata të Robert Levandovskit, por mund të tejkalojë “stekën” e vendosur nga yjet e mëparshëm për numrin e ndeshjeve të luajtura.

Tomasi ka 521 ndeshje zyrtare për Bajernin, dhe pas rinovimit të kontratës deri në 2023, mund të kalojë me radhë legjendat Franc Bekenbauer (543), Georg Shvarcenbek (547), Klaus Augentaler (549), madje edhe Gerd Mylerin që ka 576. Pse jo, t’u afrohet dy të parëve, Oliver Kahnit me 632 ndeshje dhe Zep Majerit me 642. Revista “Sport Bild” i bën një pyetje sulmuesit: “A e mendon veten si kapiten?” Përgjigja ishte mohuese. “Nuk e besoj, pasi do të isha i lumtur që Manuel Nojeri të mbetej kapiteni im deri në fund, – thotë Myleri, – unë dua të fitoj trofe, sidomos një tjetër Champions”.

Sfidanti.al