Tirana, Qëndrim Ismaili konfirmon ndarjen me bardheblutë

Qendrim Ismajli është larguar nga Tirana. Lojtari, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka falenderuar të gjithë për mbështetjen. “Faleminderit KF Tirana për gjithçka që më dhatë gjatë këtij një viti e gjysmë të paharrueshëm. Për çdo stërvitje, çdo ndeshje, çdo sfidë dhe emocion të përjetuar me fanellën bardheblu.

Ishte një përvojë e çmuar që më rriti si sportist dhe si njeri. Mirënjohës për besimin, mbështetjen dhe profesionalizmin. Tani mbetem në kërkim të objektivave dhe sfidave të reja. KF Tirana do të mbetet gjithmonë pjesë e rrugëtimit tim”- shkruajti ai. Ismaili u aktivizua në total 34 ndeshje me fanellën bardheblu, ku mori 2135 minuta në kampionat, 51 në Kupën e Shqipërisë dhe 1 minutë në duelin e “Play Out”-it ndaj Pogradecit. Në të gjitha aktivizimet ai arriti të shënonte 3 gola.