Ndodh që edhe kur fiton të krijohen probleme. Kështu me Tiranën, e cila vërtet mori titullin kampion në futboll, por tashmë ndodhet në një polemikë me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Kjo, pasi kreu i pushtetit vendor pati akuza për aksionerin kryesor të klubit, Refik Halili, ndërsa deklaroi se do të jepte shpërblimin e premtuar prej 15 milionë lekësh të reja për titullin. Pas këtyre fjalëve, Tirana doli me reagim zyrtar duke siguruar se nga familja e aksionerit kryesor nuk është marrë asnjë lek nga shpërblimi i akorduar vjet nga Bashkia. Bardheblutë bëjnë me dijë se në vitet kalendarikë 2020-2021 janë shpenzuar mbi 3 milionë euro, dhe për këtë arsye nuk ka kuptim që të përfitohet nga një shpërblim prej 15 milionë lekësh. Duke hedhur poshtë akuzat për përfitime personale, drejtuesit e klubit theksojnë edhe se tek Tirana sot nuk punohet në të zezë, edhe pse dihet se llogaritë e klubit janë të bllokuara nga gjykata për shkak të borxhit të pretenduar nga ish-presidenti Metush Seferi. Tirana deklaron se klubi sot menaxhohet mirë, dhe se po shlyhen borxhet e krijuara në periudhën kur administrimi bëhej nga Bashkia e Tiranës përpara vitit 2013.
Sfidanti.al