Tifozët thërrasin “Antonio, Antonio”, Konte fiton luftën “civile”

Publiku në “Stemford Brixh” e di shumë mirë sesi është situata tek Çelsi. Trajneri Antonio Konte është “në fije të perit”, në marrëdhënie shumë të këqija me bordin drejtues, pavarësisht nga titulli kampion që fitoi vjet. Tifozët blu kanë një mënyrë të tyren për të shprehur dashurinë ndaj trajnerëve që mund të mos jenë më.

Ndodhi me Karlo Ançelotin, me Roberto Di Mateon, ndonëse jo edhe aq me Andres Vijas Boasin dhe Zhoze Murinjon. Ndodhi edhe me Konten. Në një moment të caktuar, publiku nisi të thërriste emrin e tij “Antonio, Antonio”, një lloj përshëndetjeje dhe mbështetjeje në momentet e vështira.

Trajneri italian është nga ata që hyn lehtë në zemrat e tifozëve. Mënyra sesi e përjeton ndeshjen në vijën anësore është krejt e veçantë, emocionale, me shumë pasion. Kështu ndodhi edhe ndaj Barcelonës, kur i ulëriti në fytyrë gjyqtarit të katërt për një rivënie anësore, pastaj kërceu gati 1 metër nga toka për një vendim të gjyqtarit. Konte tregoi më shumë ndjenjë se zakonisht, sikur po luftonte betejën me bordin e klubit dhe jo me Barcelonën. Reagimi i tifozëve tregoi se ai e fitoi atë betejë, të paktën moralisht.

Sfidanti.al