Partizani ka zhvilluar dje seancën e dytë stërvitore në funksion të ndeshjeve që pritet të zhvillojë në korrik në Ligën e Konferencës. Pas afro dy javësh pushime, trajneri Gega vendosi që të gjithë të kthehen në punë dhe të nisin punën për të qenë sa më gati në ndeshjet që vlejnë më shumë se gjithçka sa i përket aspektit monetar.
Në dispozicion të trajnerit janë radhitur shumica e ekipit, me përjashtim të Sembene e Bintsukës, që priten në ditët në vijim, si dhe Podstrelov dhe Vujnoviç, që deri më tani nuk janë paraqitur. Gjithsesi, sipas gjasave, ata nuk pritet të përfshihen në listën e lojtarëve për Europën.
Stërvitjen me të kuqtë e ka lënë edhe Gjergji Kote, i cili i është bashkuar grumbullimit të Kombëtares U-21. Në seancën e djeshme janë vënë re edhe të rinj, mes tyre Dion Vata, i cili luajti edhe në ndeshjen e fundit dhe la përshtypje shumë të mira, pavarësisht moshës së re prej vetëm 16 vjeç.
Trajneri Gega në këto seanca e ka vëmendjen 100% në aspektin fizik, ku kërkon që skuadra të rrisë sa më shumë performancën atletike. Në këto kushte, pesha kryesore i bie trajnerit atletik, Luis Nabais. Portugezi është ai që ka marrë përsipër stërvitjen dhe pritet të drejtojë “torturat” fizike të ekipit të kuq në ditët në vijim, me qëllim rritjen e rezistencës dhe të forcës.
sfidanti.al