Nga ëndrra Botëror te mundësia për t’u përballur me Brazilin. Trajneri i Kombëtares, Sylvinho, i thotë të gjitha, në një intervistë të dhënë së fundmi. Sylvinho theksoi se rrugëtimi deri këtu ka qenë mjaft i vështirë, ndërsa pret me kuriozitet se çfarë do ndodhë në të ardhmen.
Si eci rrugëtimi i Shqipërisë për në “Play Off” të Botërorit? Sa i përket Anglisë, unë e shoh si një nga favoritët për Kupën e Botës. Është një skuadër shumë fizike, por edhe shumë e larmishme taktikisht. Ka lojtarë krahu shumë të shpejtë, me një kundër një, asist dhe gola. Jam një admirues i madh i Gareth Sauthgejtit. Është një trajner modern, me balancë të jashtëzakonshme mes sulmit dhe mbrojtjes. Anglia pëson shumë pak gola. Për mua është një nga favoritët, së bashku me Brazilin, Argjentinën, Francën dhe Spanjën. Sa i përket ndeshjes kundër Serbisë jashtë fushe, ishte një ndeshje shumë e vështirë, me shumë tension dhe histori politike. Ne u përgatitëm për futboll, vetëm futboll. Ishte një fitore historike për vendin dhe na hapi rrugën për play off-in. Për Poloninë, ne e njohim mirë. Janë lojtarë të nivelit shumë të lartë, si Leëandoëski. Është një ndeshje e vetme, 90 minuta, dhe gjithçka vendoset në detaje: një gabim, një top i ndalur. Ne besojmë te struktura jonë, te përmirësimi ynë dhe te cilësitë tona. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por ne besojmë se mund të arrijmë aty ku duam.
Jeni i vetmi trajner brazilian që mund të shkojë në Botëror. A e keni menduar ndonjëherë që do të luani kundër Brazilit në fazën e dytë? Do të shtoj edhe diçka. Do bëj edhe një shaka të vogël. Madje kam menduar edhe për finalen… por po e lëmë këtë mënjanë. Le të përplasen ata më parë. Ishte interesante, vërtet. E para, e mora me shumë krenari. Sapo kishim dalë nga ndeshja me Andorrën dhe mora shumë mesazhe: “Urime”, “Punë e shkëlqyer”, “Sa bukur”. Dhe të nesërmen, një person nga Portugalia më tha: “E di që, nëse kalon play-off-in, ti do të jesh i vetmi trajner brazilian në Kupën e Botës?”. Unë thashë: “Uau… dje hoqa 400 kilogramë nga shpatullat dhe tani po më vë edhe 600 të tjerë?”. Sigurisht, ndjeva një përgjegjësi të madhe. Megjithatë, e mora me shumë dashuri. Nëse ndodh, do të jetë gjithmonë krenari të përfaqësoj Brazilin, edhe si trajner. Dhe nëse kalojmë play off-in, të luajmë një Kupë Bote për ne është diçka jashtë normales. Aty mund të ndodhë gjithçka. Sinqerisht, nuk kam menduar për një përballje me Brazilin. Ma kanë përmendur, po. Një brazilian më tha: “Mund të ketë përballje me Brazilin më vonë”. I thashë: “Qetësi, rruga është e gjatë. Të ecim 100 metra nga një herë dhe pastaj shohim çfarë ndodh”.
Karriera si trajner? Puna në klub është shumë ndryshe nga kombëtarja. Në klub luan çdo javë, të mërkurë dhe të diel. Te Lyon ishte shumë e shkurtër, nuk jep kohë për analiza të thella. Në kombëtare ke tre vite dhe mund të analizosh vërtet punën. Ne bëjmë vlerësime pas çdo cikli: Euro, Nations League, kualifikime. Mund të monitorosh lojtarë, të ndërtosh gradualisht.
Silvinjo, dua të flasim për stafin tënd: Doriva dhe Pablo Zabaleta. Si lindi kjo ide? Doriva është një person i besimit, shumë i qetë. Ai më sjell ekuilibër, sepse unë jam shumë intensiv. Kur ai më thotë “ndalo pak”, është sepse vërtet jam në limit. Zabaleta ka profil shumë të ngjashëm me timin: i detajuar, intensiv, modern. Ai sjell përvojë të freskët nga fusha. Ne tre krijojmë një balancë shumë të mirë.
Duke qenë se ke punuar me Venger, Guardiola, Mançini, Tite… nga kush ke marrë më shumë? Më shumë kam mësuar nga ata me të cilët kam punuar çdo ditë, Mançini dhe Tite. Nga Guardiola mora shumë në menaxhim dhe ide. Nga Venger, kulturë dhe edukatë. Çdo trajner lë diçka.
Si është të ndash statusin e figurës më të njohur të Shqipërisë me Dua Lipën? Është mirë sepse unë humbas gjithmonë. Por imagjino çfarë lumturie do t’i japim Shqipërisë nëse shkojmë në Kupën e Botës. Do të jetë gëzim për shumë njerëz.
sfidanti.al

