Skandali; Kajl Uolker mos u sill si prifti, “bëj si them unë, jo si bëj unë”!

U desh të ndodhte edhe kjo. Ylli i Mançester Sitit, Kajl Uolker, tronditi opinionin në Angli dhe në gjithë Britaninë e Madhe, me sjelljen e tij, ndërsa i gjithë vendi është duke luftuar me koronavirusin. Mediat britanike njoftojnë se mbrojtësi i qendrës ka ftuar dy vajza eskorte në shtëpinë e tij, e thënë shqip, prostituta, dhe ka kaluar 3 orë argëtimi në praninë e tyre.

Tabloidi “San” publikon foto, të cilat thotë se janë të festës në shtëpinë e Uolkerit, ku duket futbollisti gjysmë i zhveshur e duke mbajtur kartmonedha në duar, si dhe boton fotot e prostitutave. Sjellja e futbollistit natyrisht është diçka private, ndonëse krejt e papërshtatshme në një kohë karantine, por problemi më i madh është se vetë Uolkeri, ka postuar pak kohë më parë mesazh në rrjetet sociale duke ftuar njerëzit që të mos dilnin nga shtëpitë e të mos shkelnin rregullat.

Pak kohë më parë, futbollisti 29-vjeçar u nda nga e shoqja, pasi kjo e akuzoi për tradhëti bashkëshortore. Pritet që Uolker të marrë një gjobë nga Mançester Siti, por shqetësimi më i madh ka të bëjë me ndikimin që një yll i Premier Ligës mund të ketë me veprime të tilla.

Sfidanti.al