Futbolli elitar në Maqedoninë e Veriut po kalon një periudhë të tensionuar dhe të pazakontë, teksa klubi shqiptar, Gostivari është bërë skuadra e dytë që zyrtarisht tërhiqet nga kampionati gjatë javëve të fundit. Pas vendimit të mëparshëm të Voska Sport për të mos vazhduar më pjesëmarrjen në garë, tashmë edhe klubi tjetër shqiptar ka deklaruar publikisht largimin e tij nga aktiviteti në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut. Vendimi për t’u tërhequr u mor pas ndeshjes kundër Rabotniçkit, e cila u ndërpre pas braktisjes së fushës nga ana e skuadrës së Gostivarit. Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut ka vendosur për humbje në tavolinë për këtë ndeshje, si dhe ka zbatuar një penalizim prej 9 pikësh në renditje për klubin në fjalë. Sipas drejtuesve të Gostivarit, vendimi për t’u tërhequr nga kampionati erdhi pasi klubi humbi mundësinë për të garuar për një vend në kompeticionet europiane.
Në një deklaratë të gjatë dhe të detajuar, klubi ka reaguar ndaj sanksioneve të vendosura nga FFM, duke i konsideruar ato të padrejta dhe të njëanshme. Sipas deklaratës, klubi nuk është informuar zyrtarisht për dënimet, përveç se përmes publikimeve në faqen e internetit të Federatës. Gostivari ka akuzuar FFM-në për përndjekje sistematike dhe për trajtim të pabarabartë në vendimmarrjet disiplinore.
Mes pikave të përmendura në deklaratën zyrtare të klubit, theksohet edhe caktimi i gjyqtarëve me histori të diskutueshme në ndeshjet e klubit, vendime të përsëritura në dëm të ekipit, si dhe ndëshkime të rënda ndaj lojtarëve dhe stafit teknik. Klubi ka përmendur gjithashtu incidente me dhunë policore pas disa ndeshjeve, përfshirë ndalimin e disa futbollistëve të huaj në komisariat pas përfundimit të një takimi.
sfidanti.al