Pas 14 viteve të gjata të pasuruara me 2 tituj në La Liga, 2 Europa League dhe 2 Superkupa UEFA, si dhe një Kupë të Mbretit dhe një Superkupë të Spanjës, rrugët e Diego Pablo Simeone dhe Atletico Madrid duket se do të ndahen në fund të sezonit. Lajmi i përhapur disa ditë më parë nga Relevo, dhe i marrë nga mediat kryesore, ka gjetur disa konfirmime. Trajneri argjentinas duket i destinuar të largohet nga kryeqyteti spanjoll dhe, me shumë gjasa, të transferohet në Premier League. Gjithashtu, Relevo ka raportuar se drejtuesit e Colchoneros kanë nisur tashmë kërkimin për zëvendësuesin e mundshëm të Simeone-s, dhe mes kandidatëve të ndryshëm ka dalë befas edhe emri i Jürgen Klopp. Sipas portalit spanjoll, Atletico ka pesë muaj që po kërkon në treg trajnerësh pasuesin e teknikut Simeone. Klubi nuk dëshiron të kapet i papërgatitur në rast të një largimi të mundshëm dhe po shqyrton disa alternativa, disa prej të cilave janë emra mjaft të njohur. Sipas rindërtimit të Relevo, arsyet e largimit të mundshëm të Diego Simeone lidhen me disa faktorë specifikë: “Tek Atletico ndihet gjithnjë e më shumë një lodhje rreth figurës së argjentinasit. Pavarësisht rinovimit të skuadrës këtë sezon, Simeone e ka shumë më të vështirë sesa në të kaluarën të mbajë nivelin e grupit si në vitet më të mira. Në këtë pikë të sezonit, Atletico është shtatë pikë prapa kryesuesve të La Liga-s, Barcelonës, dhe renditet mjaft poshtë në klasifikimin e ri të Champions League (23-ta), pavarësisht fitores së fundit në Paris”. Sipas raportimeve të portalit spanjoll, e ardhmja e argjentinasit Simeone mund të jetë në Premier League, ku “ai ka oferta të mira”. Ndërsa për pasuesin e tij të mundshëm: “Në vend të tij mund të vijnë Klopp, i cili ka qenë gjithmonë shumë i vlerësuar te Atletico, Fernando Torres, Luis Enrique ose Pochettino, pa harruar Lopetegui, Luis De La Fuente dhe Unai Emery. Sot, bisedime të tilla janë të vështira për t’u zhvilluar, pasi të gjithë janë të angazhuar në projekte sportive të rëndësishme”. Habia më e madhe vjen nga përfshirja në listë e emrit të trajnerit gjerman, ish-drejtuesit të Liverpool-it, i cili së fundmi është lidhur me grupin Red Bull dhe, duke nisur nga janari, do të bëhet pjesë e strukturës së multinacionales austriake.
sfidanti.al