Silvinjo optimist për duelin me Serbinë: Të gjithë jemi të gatshëm

Kombëtarja e Shqipërisë do të përballet nesër me Serbinë në stadiumin e Leskovacit në orën 20:45.

Ndeshja do të luhet për kualifikueset e Botërorit 2026, Grupi K, ndërsa trajneri Silvinjo doli në konferencën për mediat, ku deklaroi: “Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Sot po, absolutisht. Një muaj më parë ishte ndaj Letonisë, nëse nuk fitonim nuk do kishte sens. Nëse fitojmë, do jetë me Andorrën në vazhdim më e rëndësishmja. Është emblematike dhe e bukur. Besoj do jetë e bukur.

Kemi pasur stërvitje të vazhdueshme në Tiranë, duke përdor videot, duke shkuar në fushë dhe duke korrigjuar. Dje kemi zhvilluar stërvitje të nivelit të lartë. Të gjithë të gatshëm dhe i janë përgjigjur stërvitjes. Nesër duhet të zgjedhim lojtarët që do dalin në fushë. Nuk më shqetëson mungesa e golit, është pika e fundit e futbollit. Sigurisht që ndërtohet për të shkuar te goli. Kam besim te gjithë lojtarët dhe të gjithë mund të përgjigjen atyre që kemi përgatitur gjatë stërvitjeve. Futbolli është i paparashikueshëm, e përsëris këtë. Për këtë arsye nuk mund të vendosim baste.

Unë jam një trajner, kam qenë lojtar 15-16 vite, me modesti them në nivelet më të larta. Kam bërë një Botëror si asistent dhe një Europian me Shqipërinë. Nuk kam parë kurrë një ndeshje që fitohet pa e nisur. Kjo është skuadër e fortë me vlerë të rëndësishme individuale në kampionate të rëndësishme. Ne në shtëpi kemi luajtur dhe jemi rritur shumë pas një Europiani ku bëmë eksperiencë.

Çdo gjë mund të ndodhë në 90 minuta, e dimë ne dhe ata, sipas meje nuk ka përqindje, por vetëm të dalësh me intensitet e të luash me zemër e shpirt. Pastaj të shohim, unë kam besim të plotë te skuadra jonë”.


sfidanti.al