Si kthehet Eduart Rroca nga dëmtimi? Duke shënuar 3 gola në një ndeshje!

Ishte zhdukur thuajse plotësisht këtë vit. Eduart Rroca po përjetonte një edicion tepër të vështirë në Ligën e Parë të Turqisë, i ndjekur nga dëmtimet, por më në fund e mori revanshin personal. Mesfushori shqiptar shkëlqeu për Istanbulsporin, në ndeshjen e luajtur në fushën e Denizlisporit duke shënuar të tre golat. Edhe pse sfida u humb 3-4, ajo do të mbetet e veçantë sepse këto ishin tri rrjetat e para për 28-vjeçarin këtë sezon. Jo vetëm kaq, por pavarësisht humbjes, Istanbulspori ka shanse të mira për t’u ngjitur në Superligë vitin që vjen, duke qenë në vendin e 4-ët me 54 pikë. Dy vendet e para ngjiten direkt në elitë, dhe ekipin e Rrocës e ndajnë 6 pikë prej tyre, ndërsa 4 ekipet më poshtë luajnë në plej of, diçka që për momentin Istanbulspori e ka të siguruar. Shkëlqimi i mesfushorit nga Librazhi ishte i plotë sepse ai i shënoi të 3 golat në vetëm 16 minuta të pjesës së parë, në minutat 28, 39 e 44. Edicioni ka qenë tepër i pafat për Rrocën që humbi plotësisht 11 ndeshje për shkak dëmtimi, dhe që e pati të vështirë të kthehej në formacion. Ai ka luajtur vetëm 15 ndeshje dhe vetëm 17 për qind të minutave të dispozicion, por shpresohet që këto probleme të jenë lënë pas.

Sfidanti.al