Gjykata Kombëtare e Spanjës ka vendosur që shteti duhet ta dëmshpërblejë ish-presidentin e Barcelonës, Sandro Rosell, me 232.500 euro për 645 ditë paraburgimi, që ai kaloi mes majit 2017 dhe shkurtit 2019, për akuza nga të cilat u shpall i pafajshëm.
Rosell u arrestua për pastrim parash dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, në lidhje me komisione të dyshuara të paligjshme për ndeshje të kombëtares braziliane dhe një kontratë me një markë sportive. Megjithatë, në përfundim të procesit gjyqësor, ai u shfajësua nga të gjitha akuzat.
Fillimisht, Rosell kishte kërkuar 29.7 milionë euro dëmshpërblim për dëmet morale, ekonomike, kostot ligjore dhe shpenzimet e familjarëve për ta vizituar në burg. Por Gjykata e Kontestimeve Administrative pranoi vetëm një pjesë të kërkesës, duke ndarë shumën përfundimtare në:
- 50.000 euro për dëme morale
- 120.000 euro për humbje të të ardhurave, për shkak të ndërprerjes së kontratës me kompaninë këshilluese Ernst & Young
- 62.500 euro për shpenzimet e udhëtimeve të familjarëve për ta vizituar në burg
Kërkesat për dëmshpërblim më të madh, përfshirë zhbërjen e kontratës me një fondacion nga Katari, dëme psikologjike, humbje të reputacionit dhe kostot ligjore, u refuzuan nga gjykata. Argumenti ishte se disa prej tyre nuk i përkisnin drejtpërdrejt Rosellit si individ, por kompanive që ai zotëronte, ndërsa kostot ligjore konsiderohen si pjesë e procedurave gjyqësore dhe jo si dëm i dëmshpërblyeshëm sipas nenit 294 të Ligjit Organik për Sistemin Gjyqësor.
Ky është një nga rastet më të bujshme në Spanjë ku një figurë publike kalon pothuajse dy vjet në burg pa u shpallur fajtor. Rasti i Rosell ka ngritur debate të shumta rreth përdorimit të paraburgimit si masë sigurie.
sfidanti.al