Shqipëri-Kili, zyrtarizohen hollësitë e miqësores

Nuk është më përfaqësuesja e kohëve të arta të Aleksis Sançezit, Arturo Vidalit apo Geri Medelit dhe nuk i ka nisur mirë Eliminatoret për në Botërorin 2026, duke u renditur e 7-ta pas Paraguajit, vetëm me diferencën golash, në grupin e Amerikës Latine, por kjo nuk i heq Kilit statusin e një skuadre të fortë, fizike e teknike, që ka ditur në histori të ndërtohet si një nga ekipet më të forta amerikanojugore. 9 herë e pranishme në fazën finale të Botërorit,  me një vend të 3-të në 1962-shin si pozicionimin më i mirë, por Kili krenohet me dy trofe radhazi të Kupës së Amerikës në 2015-ën e 2016-ën.

Skuadra e drejtuar nga argjentinasi Alberto Gareka do të jetë kundërshtari i kuqezinjve në miqësoren e 22 marsit, e para përpara se të besuarit e trajnerit Silvinjo të luajnë në Stokholm kundër Suedisë, në miqësoren e dytë të muajit. Trajneri brazilian, në fakt, prefereonte të kishte një kundërshtar europian, në testet përpara “Gjermani 2024”, por Kili ishte një ekip që do të përfaqësojë një përplasje vërtetë shumë interesante. E kjo jo vetëm sepse dy trajnerët përfaqësojnë shkolla rivale futbolli, por edhe sepse për nga mënyra agresive e të luajturit të kilianëve, mund të jetë një sprovë e vërtetë për kuqezinjtë.

Vendi ku do të luhet miqësorja është përcaktuar tashmë, ashtu sikundër edhe orari i ndeshjes. Duke qenë se Federata e Futbollit e Kilit ka të programuar edhe një miqësore me Francën dhe do të grumbullohet në Itali, ka preferuar ta luajë ndeshjen aty, edhe pse FSHF-ja do të kishte dëshiruar që këtë miqësore ta luante në Stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë. Kështu, ndeshje miqësore Shqipëri-Kili do të luhet më datë 22 mars 2024, duke nisur nga ora 20:45, në Stadiumin “Enio Tardini” të Parmës në Itali

sfidanti.al