Humbja e djeshme në transfertë përballë Tikvesh ka rezultuar fatale për trajnerin e Strugës, Shpëtim Duro. Klubi ka njoftuar se palët kanë ndërprerë me konsensus bashkëpunimin mes tyre. “FC Struga Trim Lum njofton për ndërprerjen e bashkëpunimit me shefin e stafit teknik, Shpëtim Duro. Bashkëpunimi me trajnerin Duro ndërpritet me marrëveshje të dyanshme. Me këtë rast, FC Struga falënderon Duron për kontributin e dhënë gjatë periudhës përderisa e drejtoi skuadrën tonë në kampionatin e vendit dhe garat evropiane, gjithashtu i dëshirojmë shumë suksese në të ardhmen”, shkruhet në njoftimin e Strugës. Një vendim disi i papritur sepse kur kanë mbetur edhe 3 javë nga përfundimi i kampionatit në Maqedoninë e Veriut, tre skuadra shqiptare (Shkëndija, Struga dhe Shkupi) garojnë për titullin kampion dhe aktualisht gjenden në kuotë të barabartë pikësh (58 pikë).
sfidanti.al