Një muaj më parë, më 19 korrik, Spanja u shpall kampione e botës për herë të dytë në historinë e saj, pasi mposhti Argjentinën me rezultatin 1-0 në finalen e Botërorit. Nën drejtimin e Luis de la Fuente, “La Roja” triumfoi në një finale të luftuar, por menjëherë pas ndeshjes nisën të qarkullonin teori konspirative se futbollistët e Argjentinës e kishin dorëzuar sfidën.
Një muaj më vonë, presidenti i Federatës Argjentinase të Futbollit, Claudio Tapia, ka reaguar ashpër ndaj këtyre pretendimeve. Përmes një komunikate në rrjetet sociale, kreu i futbollit argjentinas ka dënuar atë që e cilëson si një fushatë të rreme kundër kombëtares “Albiceleste”.
“Një muaj me gënjeshtra dhe një fushatë të mjerueshme për të krijuar idenë se kjo Kombëtare ishte dorëzuar. Nuk duhet të lejohet të gënjehet, të sajohet një histori, të ushqehen dyshimet prej ditësh dhe, kur koha tregon se gjithçka ishte tym, të fshihet dhe të bësh sikur nuk ka ndodhur asgjë”, shkroi Tapia.
Kreu i Federatës Argjentinase të Futbollit vijoi me tone edhe më të ashpra, duke mbrojtur lojtarët e kombëtares dhe duke kritikuar ata që, sipas tij, tentuan të dëmtonin imazhin e skuadrës.
“Ndërsa futbollistët tanë dhanë gjithçka në fushën e lojës, kishte nga ata që jashtë saj shpërndanin urrejtje dhe kërkonin të shkatërronin imazhin e një kombëtareje që fitoi respektin e miliona njerëzve. Nuk do të mund ta fshijnë atë që bënë. Nga trajtimi si tradhtarë i futbollistëve të kombëtares nuk ka kthim pas”, theksoi Tapia. Në fund, presidenti i federatës argjentinase kërkoi publikisht ndjesë ndaj lojtarëve që u akuzuan dhe u sulmuan pas finales.
“Kur akuzohen, gënjehet dhe lëndohen publikisht ata që dhanë gjithçka për këtë fanellë, të kërkosh falje nuk është një favor. Është një detyrim. Ata që dhanë shpirtin nuk kanë pse të japin shpjegime, ata që gënjyen po”, përfundoi Tapia.
Reagimi i tij rikthen në vëmendje polemikat që shpërthyen menjëherë pas finales, ndërsa Federata Argjentinase duket se kërkon t’i japë fund përfundimisht teorive që vunë në dyshim angazhimin e lojtarëve në ndeshjen për titullin botëror.

