Neurologu për Musiala: “Mund të jetë epilepsi me mungesa”

Jamal Musiala është përpjekur të qetësojë të gjithë pas shqetësimit të dytë që pësoi në fushë brenda pak ditësh. Të fikëtit e parë ndodhi gjatë ndeshjes miqësore kundër Leipzig, ndërsa i dyti menjëherë pas hyrjes së tij në fushë dhe pas një rasti për gol të humbur, në Heidenheim. Dy situata tepër të dukshme për të kaluar në plan të dytë, me vetë futbollistin që ka dhënë versionin e tij për atë që po i ndodh, duke iu referuar “episodeve të përkohshme dhe me kohëzgjatje të shkurtër”.

As kontakte dhe as lidhje të dukshme me periudhën e gjatë të rikuperimit nga dëmtimi shumë i rëndë që e mbajti për një kohë të gjatë jashtë sezonin e kaluar, përpara rikthimit jo të lehtë në fushë edhe në Botëror. Pas këtyre rrëzimeve të papritura në fushë, sipas yllit të kombëtares gjermane, mund të fshihet diçka që lidhet me një “mosfunksionim neurologjik”. Në praktikë, drita fiket për futbollistin, i cili në pak kohë dobësohet dhe nuk mund të luajë, madje as të qëndrojë në këmbë në fushë. Pas disa çastesh hutimi vjen rikuperimi, ndërsa pamjet që lidhen me të janë bërë virale në të gjithë botën.

Futbollisti është dukur i qetë, duke theksuar se problemi është “lehtësisht i trajtueshëm”, por a është vërtet kështu? A ekziston një trajtim për këto lloj situatash, mjaft të pazakonta në pasojat e tyre për një sportist profesionist? Ajo që dukej si një ulje e zakonshme e tensionit, e lidhur edhe me temperaturat e larta, mund të jetë shndërruar në diçka tjetër, edhe pse Musiala nuk ka dhënë detaje. Ndërkohë, në Gjermani të gjithë pyesin se si do të evoluojë karriera e tij dhe nëse kjo lloj shqetësimi mund të ndikojë dhe në ç’mënyrë.

Nuk mungojnë as opinionet e specialistëve të njohur, si ai i neurologut të famshëm, prof. Christoph Kleinschnitz, i cili ka folur për Bild. Specialisti, drejtues i Neurologjisë në Klinikën Universitare të Essenit, ka krijuar një ide për atë që ka ndodhur nga pamjet dhe kështu e ka lidhur gjithçka me një “epilepsi të mundshme me mungesa”. Bëhet fjalë për një krizë të vogël që shkakton një humbje të shkurtër të vetëdijes, madje edhe vetëm për disa sekonda. Zakonisht shfaqet në moshë shumë të re, por nuk përjashtohen as episode në moshë madhore, të cilat mund të zhduken me kalimin e viteve ose të trajtohen me medikamente specifike.

Prof. Kleinschnitz është shprehur: “Nga pikëpamja neurologjike, në varësi të rrethanave, mund të bëhet fjalë për një krizë epileptike. Mund të jetë e ashtuquajtura epilepsi me mungesa; simptomat, si humbja e përkohshme e kontaktit me realitetin, shkojnë në këtë drejtim. Megjithatë, për ta konfirmuar këtë, do të duhej të shiheshin të gjitha rezultatet e ekzaminimeve neurologjike. Është një gjendje që mund të trajtohet mirë, por do të kërkonte një terapi të vazhdueshme. Musiala gjithsesi mund të vazhdojë të luajë futboll”. Fakti që një profesionist i këtij kalibri është shprehur pa pasur në dispozicion të gjitha të dhënat mjekësore tregon shumë për bindjen e tij, bazuar edhe në fjalët e Jamal. Sigurisht, do të dimë më shumë në ditët në vijim, edhe sepse ndeshjet e para zyrtare janë tashmë shumë pranë.