Verstappen rinovon me Red Bull deri në vitin 2030

Max Verstappen do të vazhdojë të jetë pjesë e Red Bull. Piloti holandez ka rinovuar zyrtarisht kontratën me skuadrën austriake deri në fund të vitit 2030, duke i dhënë fund spekulimeve të shumta për një largim të mundshëm. Kontrata e mëparshme e katër herë kampionit të botës skadonte në vitin 2028.

E ardhmja e Verstappen kishte qenë në qendër të vëmendjes gjatë muajve të fundit, sidomos për shkak të një klauzole që mund t’i hapte rrugën largimit të tij nëse rezultatet sportive nuk përmbushnin disa kushte. Performanca jo e kënaqshme e Red Bull në sezonin 2026 kishte ushqyer zërat për një transferim të mundshëm te një tjetër skuadër.

Në fund, Verstappen ka zgjedhur të vazhdojë aventurën me Red Bull dhe të lidhë të ardhmen e tij afatgjatë me skuadrën me të cilën ka fituar katër tituj radhazi të kampionatit botëror, nga viti 2021 deri në 2024. “Jam vërtet shumë i lumtur për rinovimin e kontratës. Kemi njerëzit më të mirë dhe jam i entuziazmuar që do të vazhdoj të punoj së bashku me të gjithë për t’u rikthyer sërish në majë. Ky mbetet objektivi kryesor drejt të cilit kemi punuar dhe do të vazhdojmë të punojmë”, u shpreh Verstappen pas firmës.

Rinovimi përbën një sinjal të fortë besimi të Verstappen ndaj projektit të Red Bull, pavarësisht vështirësive të skuadrës në sezonin aktual. Holandezi do të mbetet kështu pjesë e ekipit deri në fund të vitit 2030, duke i dhënë fund një prej sagave më të mëdha të merkatos së pilotëve në Formula 1.