Sezoni i ri merr formë, Superiorja nis me “gazin në maksimum”

Këtë të hënë në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” është hedhur shorti për kalendarin e kampionatit “Kategoria Superiore” për sezonin 2024/2025, që është edhe edicioni i 86-të në histori. Të pranishëm në hedhjen e shortit ishin përfaqësuesit e 10 klubeve të kampionatit “Kategoria Superiore”, përfaqësues të medias shqiptare, shefi i Departamentit të Garave në FSHF, Marjus Sulejmani si edhe ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Altin Lala. 10 klubet shqiptare kanë mësuar nga goglat kundërshtarët e tyre për 36 javët e këtij edicioni, teksa që në javën e parë premtohen emocione.

Java e parë e kampionatit “Kategoria Superiore”, 18 gusht 2024:

KF Partizani – KF Vllaznia

KF Skënderbeu – AF Elbasani

KF Teuta – FK Bylis

FC Dinamo City – KF Egnatia

KF Laçi – KF Tirana

Sipas vendimit të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, kampionati “Kategoria Superiore” do të ngrejë siparin të dielën e 18 gushtit dhe kampionati i rregullt do të përfundojë më datë 1 maj të vitit 2025. Ndërsa faza “Final Four” do të luhet në periudhën 9 – 17 maj 2025. Në kampionatin Kategoria Superiore këtë sezon marrin pjesë këto skuadra: KF Egnatia, KF Partizani, KF Skënderbeu, KF Vllaznia, KF Tirana, KF Teuta, FC Dinamo City, KF Laçi, AF Elbasani dhe FK Bylis.


sfidanti.al