Në 13 ndeshje ka shënuar 5 gola, ka dhënë 9 asistë, ka luajtur 1 239 minuta nga 1 250 të mundshëm, duke humbur vetëm 21 minuta. Ky është Eduart Rroca, mesfushori sulmues shqiptar që luan për Istanbulsporin në Ligën e Parë të Turqisë. Një futbollist padyshim i “kallëpit” të Superligës, ku mesa duket do të shkojë me skuadrën e tanishme, edhe pse gjatë verës mund të “gradohet” për në ndonjë ekip më të fuqishëm. Dy asistet e fundit, Rroca i dha në fitoren e sotme 5-0 të Istanbulsporit ndaj Balikesirsporit, sukses që e ngjiti ekipin në vendin e dytë me 34 pikë, një pikë pas kryesuesit Giresunspor. Dy vendet e para ngjiten direkt për në Superligë, ndërsa katër vendet më poshtë zhvillojnë plej of. Rroca kaloi këtë verë nga Kukësi tek Istanbulspori dhe po zhvillon ndoshta sezonin më të mirë të karrierës. Në moshën 27-vjeçare ai është gati për Superligën turke dhe padyshim pret një ftesë nga trajneri i kombëtares, Edi Reja.
Sfidanti.al