Një valë ndryshimesh ka përfshirë federatat sportive në Serbi, të cilat po zëvendësojnë emërtimin “e Serbisë” me “serbe”.
Federata e Boksit e Serbisë tashmë është bërë Federata Serbe e Boksit, ndërsa të njëjtën rrugë kanë ndjekur edhe federatat e Vaterpolos dhe Hendbollit.
Edhe Komiteti Olimpik i Serbisë ka nisur procedurën për t’u riemërtuar Komiteti Olimpik Serb. Federatat e kanë justifikuar ndryshimin me nevojën për të theksuar identitetin, traditën dhe përkatësinë ndaj sportit serb. Por ky vendim ka shkaktuar shqetësim te disa klube që përfaqësojnë komunitetet pakicë në Serbi.
Nga Klubi i Boksit Novi Pazar kanë thënë se emërtimi i mëparshëm ishte më gjithëpërfshirës për të gjithë sportistët në territorin e Serbisë.Sipas tyre, përdorimi i mbiemrit “serb” mund të krijojë ndjesinë e përjashtimit për pjesëtarët e komuniteteve të tjera. Ndërkohë, drejtuesit e klubit theksojnë se nuk besojnë se ky ka qenë qëllimi i ndryshimit.

