Fundjava që lamë pas ishte pozitive për shumë prej lojtarëve kuqezi që aktivizohen me ekipet e tyre jo vetëm në Europë, por edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe. Taulant Seferi ishte sërish protagonist me skuadrën e Bani Yas. Sulmuesi kuqezi gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 75-të dhe vijon formën e mirë, teksa për të ishte ndeshja e dytë radhazi që realizon në kampionat. Pasi la shenjën e tij në Europa League të enjten me një supergol ndaj Aston Villa, Ernest Muçi u aktivizua sërish titullar në ndeshjen e kampionatit, ku Legia triumfoi në transfertë me rezultatin 3-0. Muçi luajti 89 minuta dhe zhvilloi një paraqitje të mirë.
Në Spanjë, Myrto Uzuni e nisi nga minuta e parë takimin ndaj Realit të Madridit, por pa mundur të lërë shenjë në disfatën e skudrës së tij 2-0. Në La Liga edhe Ivan Balliu u aktivizua si titullar me skuadrën e Rayo Vallecano në humbjen e thellë 4-0 ndaj Athletico Bilbao. Mbrojtësi kuqezi luajti të gjithë takimin. Edhe Keidi Bare e nisi si titullar me Espanyol në humbjen 2-0 ndaj Real Oviedo. Mesfushori kuqezi qëndroi në fushë vetëm për një pjesë, më pas u zëvëndësua. Në Itali, Berisha dhe Ismajli vijojnë të jenë titullar të padiskutueshëm me skuadrën e Empolit. Edhe këtë fundjavë të dy lojtarët bënë një paraqitje të mirë në barazimin 1-1 në transfertë ndaj Genoa.
Ylber Ramadan e nisi nga minuta e parë ndeshjen e fundjavës në kampionat ndaj Bologna. Mesfushori kuqezi luajti 76 minuta për Leçen në barazimin 1-1. Elhan Kastrati ishte lojtari i ndeshjes në fitoren minimale 0-1 të Cittadella ndaj Feralpisalo. Porteri kuqezi bëri një paraqitje të shkëlqyer, duke mbajtur portën e paprekur. Sajti i specializuar për statistika sofascore e ka vlerësuar me notën 7.7, më e larta nga të dyja skuadrat. Si titullar me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Frederic Veseli, Mario Mitaj, Klaus Gjasula, Jasir Asani dhe Sokol Cikalleshi, ndërkohë dhanë kontributin e tyre si zëvendësues edhe Nedim Bajrami, Arbnor Muja e Armando Broja.
sfidanti.al