Cristiano Ronaldo, 41 vjeç, ka ngritur shqetësime për gjendjen e tij fizike vetëm tre muaj para FIFA World Cup 2026, pasi pësoi një dëmtim muskulor në fitoren 3-1 të Al-Nassr ndaj Al-Fayha në Saudi Pro League.
‘Ylli’ portugez humbi një penallti në pjesën e parë, duke goditur jashtë në momentin kur rezultati ishte 0-0. Më pas, në minutën e 80-të, ai sinjalizoi pankinën dhe u largua nga fusha me shqetësime të dukshme, pak pasi skuadra e tij kishte kaluar në avantazh. Ronaldo u pa në stol me një qese akulli pas gjurit, duke shtuar frikën për një problem më serioz.
Pavarësisht moshës, Ronaldo vazhdon të ndjekë objektiva madhorë: ai është vetëm 35 gola larg shifrës historike prej 1000 golash në karrierë dhe ka realizuar 21 gola në kampionat këtë sezon. Ndërkohë, Al-Nassr kryeson renditjen, duke mbajtur gjallë ambiciet për titull.

