Rodriguez flet pa filtra për Flamurtarin: “Klub dhe kampionat amator”

Joze Rodriguez, ish-lojtari i Real Madrid, ka bërë deklarata të forta pas largimit nga Flamurtari, duke e cilësuar eksperiencën në Shqipëri si një nga më zhgënjyese të karrierës së tij. “U habita që në fillim. Më pritën në orën 2 të mëngjesit me një taksi, pa asnjë njeri nga klubi. Edhe pse isha ndoshta lojtari më i njohur që kishte ardhur në Shqipëri prej vitesh”, – tregon Rodriguez.

Sipas tij, Flamurtari funksionon në mënyrë amatoriale, pa mbështetje bazike për lojtarët:
“Pa ndihmë për akomodim, pa organizim profesional,  stërvitje në fusha me bar artificial,mungesë ndriçimi dhe orare problematike ndeshjesh. Në klubet serioze të ndihmojnë për çdo gjë. Këtu duhej ta bëje gjithçka vetë”, – shton ai.

Rodriguez kritikon edhe mënyrën se si u menaxhua projekti sportiv, duke e quajtur largimin e trajnerit Carlos Garcia një vendim të nxituar, që prishi balancat e skuadrës. Pas ardhjes së trajnerit të ri, roli i tij u minimizua, deri në përjashtim total nga planet e ekipit. “Luajta vetëm tre ndeshje. Klubi më tha se nuk kishte më nevojë për mua. Nuk e kuptoj pse më sollën që në fillim.” Ai e përshkruan futbollin shqiptar si shumë fizik, me shumë gabime gjatë ndeshjeve, ndërsa shton se presioni, media dhe tifozët janë pothuajse inekzistentë.

Kontrata është ndërprerë me marrëveshje dhe mesfushori spanjoll pranon se largimi ishte zgjedhja më e mirë për karrierën e tij, ndërsa është tashmë në bisedime për një klub të ri në merkaton e janarit.

Një dëshmi e fortë që hedh dritë mbi realitetin e Flamurtarit dhe futbollit shqiptar nga perspektiva e një lojtari me eksperiencë europiane.