KV Mechelen të shtunën në mbrëmje mori një fitore të madhe ndaj Antwerp me rezultatin 1-0 dhe tani skuadra e drejtuar nga Besnik Hasi, synon një vend në gjashtëshen e parë duke larguar përfundimisht hijet e zonës së ftohtë. Kur Besnik Hasi zbarkoi në KV Mechelen, situata nuk ishte aspak premtuese, pasi me trajnerin paraprak në 13 ndeshje, skuadra kishte marrë vetëm 12 pikë dhe renditej në vendet e fundit, ndërsa ishin eliminuar edhe nga Kupa e Belgjikës nga një skuadër gjysmë amatore. Por pasi kanë kaluar tre muaj, tashmë te KV Mechelen, nuk flitet më për mbijetesë, ndërsa fitoret e njëpasnjëshme, kanë bërë që të synohet top 6 që dërgon në play-off. Nga 11 nëntori deri më 27 dhjetor, skuadra e Hasit kishte zhvilluar shtatë ndeshje, ku morën 10 pikë, por viti 2024 ka qenë asgjë tjetër përveç shkëlqim. Bilanci është katër fitore dhe dy barazime, plot 14 pikë, kuadra më në formë në Belgjikë. Aktualisht KV Mechelen renditet në vendin e tetë, katër pikë larg vendit të gjashtë që dërgon në play-off.
sfidanti.al