Reali do Mbapenë (ose Halandin), por çfarë do të bëjë me Hazarin?!

Për të u shpenzuan 150 milionë paundë stërlina në total, dhe mund të jetë ekuivalenti i dështimit të Barcelonës me Filip Kutinjon apo Usman Dembelenë. Edhe Reali mund të gabojë në transferimet dhe këtë gjë e kujtojnë mediat europiane kur klubi madrilen po mendon për të bërë goditjen galaktike të radhës. Kilian Mbape apo Erling Haland? Superylli francez, apo çudibërësi norvegjez? i pari mund të kushtojë të paktën 180 milionë euro, i dyti ndoshta 110 apo 120 milionë, por për bilancet në “Bernabeu” duhet bërë një “audit”: Si i bëhet me mbi 160 milionë euro të dhëna për kartonin e Hazarit në 2019?

Në një periudhë kaq të vështirë pandemie, kjo kosto është një barrë e rëndë në buxhetin e klubit më të madh të futbollit botëror, edhe pse Reali ndodhet në pozita shumë më të mira sesa Barcelona. Gjithsesi, nuk do të jetë e lehtë të gjenden shumat për të marrë Mbapenë apo Halandin, kurse për Hazarin duhet gjetur një vend. Mbapeja do t’i zinte pozicionin e tij të preferuar në të majtë të sulmit, ndërsa rroga e belgut do të ishte një pengesë për buxhetin. Për më tepër, ai ka humbur 40 ndeshje në më pak se dy vjet, një fat vërtet i keq.

Sfidanti.al