Nëse dëshiron të tërbosh nga inati Mimo Raiolën (ashtu si Zllatan Ibrahimoviçin), mjafton t’i kujtosh një emër, Pep Guardiola. Njëri prej agjentëve më të mëdhenj të futbollistëve në botë për momentin, e mori zët trajnerin katalanas që kur ky i fundit largoi Ibrën nga Barcelona në vitin 2010, pas vetëm 1 viti në ekip.
“Guardiola? – tha italiani me pasaportë holandeze, – si trajner ai është i shkëlqyer, por si njeri është një zero”. Më pas, Raiola nisi të tregonte sesi Guardiola fillimisht i premtoi Ibrës që ta ndihmonte sa herë të kishte nevojë, ndërsa më pas nuk e mbajti fjalën (sipas tij) dhe nuk e aktivizoi sa duhet.
“Ai është si një prift i vërtetë, bëj si them unë, por mos bëj si bëj unë, – vazhdoi agjenti, – unë, i zemëruar, i thashë Ibrës ta parkonte Ferrarin në vendin ku duhej të ishte makina e trajnerit. Guardiola bëri të njëjtën gjë me Maksuellin, që është një djalë i shkëlqyer”.
Është e qartë se përse Raiola e urren Guardiolën, dhe kjo sepse ai i prishi punë në biznes, duke ia ulur vlerën Ibrahimoviçit. Së fundi, ai deklaroi se Mançester Junajtidi e mori fare lirë Pol Pogbanë, i cili tani kushton (gjithnjë sipas agjentit) 200 milionë paund stërlina. Zhoze Murinjo, me siguri, nuk duhet të jetë dakord.
Sfidanti.al