Qeveria e Paraguajit distancohet nga deklaratat fyese të senatores ndaj Mbappé-së

Qeveria e Paraguajit ka reaguar pas deklaratave fyese të senatores së opozitës, Celeste Amarilla, ndaj sulmuesit të Francës, Kylian Mbappé, pas eliminimit të kombëtares amerikano-jugore nga Botërori.

Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme e Paraguajit theksoi se fjalët e senatores nuk përfaqësojnë as qeverinë dhe as popullin paraguajan, duke i cilësuar ato si “përgjegjësi individuale”.

“Deklaratat e bëra nga senatorja Celeste Amarilla nuk përfaqësojnë qeverinë apo popullin e Paraguajit”, thuhej në reagimin e ministrisë, e cila gjithashtu riafirmoi marrëdhëniet e miqësisë dhe bashkëpunimit me Francën. Qeveria paraguajane theksoi edhe angazhimin e saj kundër racizmit, ksenofobisë dhe çdo forme diskriminimi.
Kritika ndaj deklaratave të senatores kanë ardhur edhe nga figura të tjera të larta politike në vend. Zëvendëspresidenti Pedro Alliana, presidenti i Senatit Basilio Núñez dhe disa deputetë kanë dënuar publikisht komentet e Amarilla-s.
Senatorja e opozitës kishte sulmuar Mbappé-në pas eliminimit të Paraguajit nga Franca, duke shkaktuar reagime të shumta. Vetë sulmuesi francez iu përgjigj përmes rrjeteve sociale, duke e akuzuar Amarilla-n për racizëm dhe duke deklaruar se ajo nuk përfaqëson Paraguajin.

Ndërkohë, Federata Franceze e Futbollit ka bërë të ditur se do të paraqesë një kallëzim në organet e drejtësisë për deklaratat e konsideruara raciste të politikanes paraguajane.