Pronari i Milanit: Kemi 50 milionë mbështetës në Amerikë

Gerry Cardinale, pronar i Milanit dhe numri 1 i Red Bird, dha një intervistë në të cilën u përball me tema të ndryshme duke folur për ambiciet e klubit dhe turneun para sezonal të Milanit në Shtetet e Bashkuara.

“Pjesë e arsyeve se përse jemi impenjuar për të bërë këtë turne miqësoresh në Shtetet e Bashkuara është pikërisht kërkesa e jashtëzakonshme në Amerikë për futbollin europian. Kjo për ne është një mundësi e rëndësishme. Jemi pronarët e Milanit prej 2 vjetësh. Objektivi ynë është ta rikthejmë Milanin protagonist në skenën botërore. Kemi 550 milionë tifozë në gjithë botën, 50 milionë prej të cilëve në SHBA dhe synojmë të besojmë te këta tifozë”.

Më pas pronari i Milanit foli edhe për opsionet për krijimin e të ardhurave .

“Ka 15 vjet që vëzhgoj të dhënat dhe analizat e tyre edhe jashtë fushe, jo vetëm për sistemin Moneyball të përzgjedhjes së lojtarëve. Sporti sot është një industri shumëmiliardëshe, i udhëhequr nga propozimi i vlerës për tifozin. Pjesa më e madhe e njerëzve mendon se vlerat që po krijohen në sport kanë të bëjnë vetëm me të ardhurat nga mediat. Kufiri i ri do të jetë të krijosh të ardhurat nga eventi drejtpërdrejt. 15 vjet më parë krijuam një shoqëri të quajtur Legends Hospitalyti, me New York Yankees të ligës së bejsbollit dhe Dallas Cowboys të ligës së futbollit amerikan, pikërisht për të krijuar të ardhura nga eksperienca e tifozëve në këto dy stadiume.

E ardhmja ka të bëjë me një ofertë më të pasur eksperience elitare për tifozët që mund t’ia lejojnë vetes, ku përfshihen takime me lojtarët në stadium, suita ku mund të takohesh me lojtarë legjenda të skuadrave e të tjera. Në këtë kuptim ndërtimi i një stadiumi të ri është me të vërtetë një prioritet”.

 

sfidanti.al