Prishtina e pandalshme në Kosovë

Prishtina ka vazhduar ecurinë mbresëlënëse në Albi Mall Superligën e Kosovës, duke regjistruar fitoren e gjashtë radhazi. Kryeqytetasit triumfuan me rezultat 2:0 ndaj Dukagjinit, në ndeshjen e javës së 10-të që u zhvillua të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Arsim Thaçi e zgjidhi ndeshjen që në pjesën e parë. Hamdi Namani zhbllokoi rezultatin në minutën e 32-të, ndërsa shtatë minuta më vonë Mario Ilievski e dyfishoi epërsinë, pas një asisti të saktë nga Valmir Veliu.

Me këtë fitore, Prishtina e forcon pozitën e parë në tabelë me 25 pikë, gjashtë më shumë se Ballkani që ndodhet në vendin e dytë. Ndërkohë, për Dukagjinin kjo ishte disfata e dytë radhazi, që e zbret skuadrën nga Klina në pozitën e katërt me 14 pikë.