Pas fundit të sezonit, te Partizani ka nisur një periudhë reflektimi mbi vendimet që duhet të merren. Tashmë që Europa afrohet çdo ditë e më shumë, të kuqtë kanë nisur punën për zgjidhjen e disa çështjeve kryesore, që kanë të bëjnë më së shumti me largimet. Skuadra do të mbështetet nga një grup lojtarësh dhe të tjerët janë të gjithë në dyshim, pra, mbeten çështje për t’u zgjidhur te “Demat”. Qëllimi është lirimi i hapësirave për afrimet, ku klubi ka nisur kontaktet dhe po punon për të përforcuar ekipin. Në fillim të javës tjetër pritet që skuadra të kthehet dhe klubi të bisedojë mbi kontratat e reja apo kushtet e divorceve të mundshme. Nëse sheh skuadrën e Partizanit dhe e lidh me minutazhin, si dhe me paraqitjet që lojtarët kanë dhënë në fushë, mund të ndërtosh tri kategori të situatave të lojtarëve të kuq. E para është bërthama që përbëhet nga më shumë se 15 lojtarë, që në rast të një revolucioni nuk preken, madje ata do të jenë elementët ku skuadra do të mbështetet në sezonin e ri. E dyta janë lojtarët në dyshim. Në këtë kategori përfshihen ata që nuk kanë luajtur shumë dhe që mund të kërkojnë ose t’u kërkohet largimi në ditët apo javët në vijim. Emra si Vujnoviç apo Podstrelov kanë paga të majme, por nuk kanë bindur me paraqitjet. Pjesa tjetër kanë luajtur shumë pak me Gegën, madje disa edhe thuajse fare, çka na bën të themi se e ardhmja e tyre është në udhëkryq. Pesë lojtarë janë pa kontratë dhe për momentin në klub nuk kanë bërë asnjë lëvizje për të gjetur marrëveshje të reja. E paqartë është situata për Eleken dhe Domgjonin, që kanë të parashikuar opsionin e rinovimit. Nga ana tjetër, Mintongo ka ardhur në huazim me të drejtë blerjeje dhe duket e vështirë që Partizani të shpenzojë për të. Dyshime ka edhe për Taipin, teksa Bintsuka mund të konsiderohet i larguar tashmë.
sfidanti.al