Gjërat nuk po shkojnë mirë për Lucas Paquetá. Ish-mesfushori i Milanit, aktualisht tek West Hami, është i akuzuar nga Federata Angleze e Futbollit (FA) për marrjen e qëllimshme të kartonëve të verdhë në katër ndeshje të Premier League, me synim që t’u mundësonte familjarëve të tij të fitonin para përmes basteve sportive. Çfarë goditjeje! Ndërsa është ende në pritje të një dënimi të mundshëm, Sky Sports UK raporton se ai rrezikon potencialisht një pezullim të përjetshëm. Sipas këtij burimi, në maj të vitit 2024, FA e akuzoi Paquetá-n për katër shkelje në lidhje me sjelljen e tij në ndeshjet e Premier League me West Ham kundër Leicester City më 12 nëntor 2022; Aston Villa më 12 mars 2023; Leeds United më 21 maj 2023; dhe AFC Bournemouth më 12 gusht 2023.
FA beson se Lucas Paquetá ka “tentuar me qëllim të marrë një karton nga arbitri me synimin e padrejtë për të ndikuar në bastet sportive”.
Hetuesit kanë vënë re se mesfushori ka marrë katër kartonë të verdhë të dyshimtë mes viteve 2022 dhe 2023, të cilët dyshohet se janë shfrytëzuar për përfitime financiare nga dhjetëra persona në vendin e tij.
I pyetur nëse Paquetá do të mund të luajë përsëri futboll në një shtet tjetër, avokati i tij i specializuar në të drejtën sportive, Cristiano Caús, shpjegoi për Marca:
“Kur një atlet dënohet në një vend, sanksioni do të ketë pasoja ndërkombëtare vetëm nëse gjykata ose federata e atij vendi që e ka dhënë dënimin ia referon çështjen Komisionit Disiplinor të FIFA-s dhe kërkon zgjatjen e dënimit në nivel global. Vetëm pas vendimit të Komisionit Disiplinor të FIFA-s, dënimi do të ketë efekt në mbarë botën”. Kështu që do të jetë Federata Angleze ajo që do të vendosë nëse do ta çojë çështjen në një nivel jashtëzakonisht të rëndë për karrierën e brazilianit 27-vjeçar.
sfidanti.al