Ideja është e shkëlqyer, por zbatimi i saj në praktikë duket një mision krejtësisht i pamundur. Po të kishte qenë viti 1992 apo 1993, ndoshta edhe mund të ndodhte kur Jaser Arafati ulej e merrej vesh në Shtëpinë e Bardhë me Jitzhak Rabinin, që Palestina dhe Izraeli të krijonin një raport më normal mes tyre. Gjithsesi, kanë kaluar gati 30 vjet, Arafati dhe Rabini nuk janë më, ndërsa ato copa toke të njohura si Palestinë po rrudhen gjithnjë e më shumë nga kolonizimi i Izraelit dhe nga dhuna e varfëria. FIFA kërkon që të organizojë një Kupë të Botës të përbashkët nga Izraeli dhe Palestina, një sfidë ndaj luftërave të viteve të fundit dhe gjakut të derdhur pa kursim. “Pse të mos ëndërrojmë një Kupë Bote të organizuar nga Izraeli dhe fqinjët e tij, – tha presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, – me akordet e Abrahamit, pse të mos e realizojmë mes Izraelit, fqinjëve të tij të Lindjes së Mesme dhe Palestinës?” Akordet e Abrahamit u firmosën shtatorin e kaluar nga Izraeli, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini.
Sfidanti.al