Një doktor gjerman sulmon Guardiolën, ngjan si Ibrahimoviçi

Kur ishte tek Barcelona, u sulmua nga njëri prej yjeve më të mëdhenj me të cilët punoi. Fjala është për Pep Guardiolën që u vu në shënjestër nga Zllatan Ibrahimoviç, pasi ky i fundit u largua nga “Kamp Nou”. Të njëjtat akuza, parimisht, kritika që kanë lidhje me mungesën e personalitetit, u bënë edhe nga ish-mjeku i Bajernit të Mynihut, Hans-Vilhelm Myler-Volfart.

“Guardiola është një njeri me besim të dobët në vetvete dhe që jeton me frikën se mos humbet autokritikën”, – janë fjalët e hidhura të doktorit për ish-trajnerin e bavarezëve. Marrëdhëniet mes tyre nuk ishin të mira në “Alianc Arena” dhe klubi nuk mundi t’i përmirësonte. Aq keq shkuan bashkë, saqë në nëntor 2015, Myler-Volfart u largua nga Bajerni pas 38 vitesh shërbimi aty, një arsye shumë e fortë që doktori i famshëm të mos ia falte kurrë katalanasit.

“Ai nuk kishte aspak besim tek unë dhe ndihmësit e mi, – vazhdon ai në autobiografinë e tij, – por, nga ana tjetër, kërkonte mrekulli prej nesh”. Sherri kryesor ishte për dëmtimin e Tiago Alkantarës, por edhe për të tjerë. Myler-Volfart ka trajtuar sportistë të mëdhenj, përfshi edhe Usain Boltin, por metodat e tij nuk u pëlqyen nga Pepi.

Vështirë të gjykosh se cili prej tyre pati të drejtë në konfliktin që kishin tek Bajerni, por duket se Myler-Volfart nxitohet pak. Është e pamundur që një trajner pabesim në vetvete dhe me frikën se mos humbet autoritetin të fitojë kaq shumë trofe, të krijojë skuadra që luajnë futboll kaq spektakolar, dhe të punojë me yje të mëdhenj si Mesi, Ksavi, Iniesta apo Aguero e David Silva.

Sfidanti.al