Një ndeshje e kategorisë së katërt në Turqi ka regjistruar një shifër të jashtëzakonshme të tifozëve në stadium: në Timsah Arena, stadiumi legjendar në formë krokodili, ishin të pranishëm 45 mijë tifozë për të ndjekur ndeshjen mes Bursaspor dhe Bornova 1877, ku u festua zyrtarisht titulli kampion për skuadrën vendase.
Ngjarja u prit me aq shumë entuziazëm saqë një lumë njerëzish blenë bileta për ndeshjen, duke përfituar edhe nga kapaciteti i impiantit, i cili është i certifikuar për ndeshje të kategorisë së parë dhe ishte përzgjedhur nga Turqia për të pritur ndeshje të Euro 2020. Paradoksale të mendosh se në Shqipëri tifozët në stadium janë gjithnjë e më të paktë dhe madje në edhe në derbin Tirana-Partizani nuk kaluan 10 mijë prezencat, me gjysmën e stadiumit të boshatisur.
Rekordi në kategorinë e katërt në Turqi
Asnjëherë më parë nuk ishte parë një spektakël i tillë, dhe pamjet që vijnë nga Timsah Arena janë të pabesueshme. Vetë stadiumi është spektakolar, pasi ka formën e një krokodili me një kokë gjigande që natën ndriçohet, ndërsa brenda tij u regjistrua “sold out” për një ndeshje të kategorisë së katërt: Bursaspor fitoi kampionatin dhe sezonin e ardhshëm do të luajë në kategorinë e tretë, dhe për këtë rast tifozët e mbushën stadiumin duke zënë të 45 mijë vendet e disponueshme.
Biletat u zhdukën menjëherë nga entuziastët që nuk donin ta humbnin këtë moment historik dhe që u shpërblyen me një fitore 4-1. Është një ngjarje e rrallë për kategorinë e katërt, ku zakonisht pjesëmarrja e tifozëve është shumë më e ulët, edhe në ndeshjet më të rëndësishme. Por këtë herë efekti vizual ishte i jashtëzakonshëm: të gjithë tifozët realizuan një koreografi rrethore që përfshiu çdo sektor të stadiumit, e dominuar nga një gazetë gjigande me mbishkrimin “Po vijmë”, si paralajmërim për suksese dhe ngjitje të tjera në të ardhmen. Por një gjë është e sigurt: askush në kategorinë e katërt nuk do të mund ta thyejë shifrën e 45 mijë spektatorëve, që do të mbetet përgjithmonë në librin e rekordeve.
sfidanti.al