Ndryshim radikal në përdorimin e sistemit VAR

Bundesliga do të eksperimentojë një ndryshim radikal të përdorimit të VAR, duke vendosur në testim për herë të parë shpjegimet e vendimeve të gjyqtareve pas shqyrtimit të pamjeve filmike. Në fundjavën e ardhshme, disa ndeshje të Bundesligës do të shohin gjyqtarët të pajisur edhe me mikrofona të lidhur me sistemet audio të stadiumeve. Dhe në rast të evidentimit të ngjarjeve që duhen ndjekur në monitorët e VAR-it, atëherë “xhaketat e zeza” do të shpjegojnë për të gjithë të pranishmit vendimin që është marrë. Kjo është një risi unike në futbollin europian, aq më tepër në një nivel të tillë si Bundesliga, e cila ka qenë ndër kampionatet e para që ka pranuar ndërthurjen e video-teknologjisë në sezonin 2017-2018. Meqë ka pasur shpesh diskutime rreth paqartësisë mbi mënyrën e vendimmarrjes nga kryesorët në bashkëbisedim me sallën e VAR, do të eksperimentohet kjo mënyrë për të bërë transparente në moment vendimet edhe për tifozët e pranishëm të cilët të kuptojnë se çfarë ka ndodhur sipas këndvështrimit të drejtuesit të ndeshjes. Meqë jo të gjitha stadiumet janë të pajisura me sistemin audio të nevojshëm, ky testim do të bëhet si fillim në disa impiante, për t’u shtrirë në javët e ardhshme në të gjitha fushat e elitës.

sfidanti.al