Interi po përgatitet për javë vendimtare në këtë sezon, në një rrugëtim që duket si një kalendar i vërtetë ferri. Zikaltërit do të përballen fillimisht me Romën për të konsoliduar epërsinë ndaj Napolit në Serinë A, ndërsa më pas sfidojnë Barcelonën në një duel që vendos fatin e tyre në Ligën e Kampioneve.
Në fund të sezonit, do të bëhet një bilanc rreth ecurisë së skuadrës, por një gjë tashmë është e sigurt. Fati i Simone Inzaghit nuk varet nga këto rezultate.
Klubi ka vendosur të vazhdojë bashkëpunimin me trajnerin italian, duke përgatitur rinovimin e kontratës së tij. Marrëveshja aktuale skadon në verën e vitit 2026, por drejtuesit janë duke punuar që ta zgjatin deri në 2027, me opsion për një vit shtesë.
Për më tepër, Inzaghi do të përfitojë një rritje të ndjeshme të pagës, duke arritur deri në 7 milionë euro në sezon, shifër që me bonuset mund të kalojë edhe 10 milionë euro, duke e bërë atë trajnerin më të paguar në Serinë A.
Në këtë mënyrë, edhe nëse Interi do të mbyllë sezonin pa fituar asnjë trofe, projekti me Inzaghin mbetet i paprekur. Statistikat flasin në favor të tij, pasi që kur mori drejtimin e Interit, Inzaghi nuk ka pësuar kurrë tre humbje radhazi, një rekord i rëndësishëm që konfirmon stabilitetin e ekipit nën drejtimin e tij, pavarësisht humbjeve të fundit ndaj Bolonjës dhe Milanit.
Rinovimi pritet të formalizohet mes korrikut dhe gushtit, para fillimit të sezonit të ri, duke garantuar qetësi në ambientin zikaltër dhe duke i dhënë Inzaghit mundësinë të ndërtojë me më shumë siguri një skuadër edhe më konkurruese.
sfidanti.al