Mund të shpenzosh 30-40 milionë euro, por pastaj të ndal Etrit Berisha!

Italia ka bërë sytë katër për të ndjekur një telenovelë të re, tërheqëse, të futbollit. Monza, skuadra modeste e Italisë së Veriut, nisi aventurën e saj në Serinë B, me entuziazmin e investimeve të pronarit të ri, Silvio Berluskonit, por fillimi ishte zhgënjyes, një barazim 0-0 në shtëpi ndaj Spalit të Ferrarës. Formacioni I trajnerit Kristian Broki nuk është se nuk u përpoq, por gjeti përballë një Etrit Berisha në formë të shkëlqyer, që u bë barrikadë. Portieri I kombëtares shqiptare priti penallti në pjesën e dytë, duke ndaluar sulmuesin danez, Gutkjer, ndërsa në sekondat e fundit bëri një pritje të madhe ndaj gjuajtjes nga afër të zëvendësuesit Monta Karvaljo. Një paraqitje e jashtëzakonshme e veteranit që tregoi se mbetet portier I nivelit të Serisë A.

Zhgënjim, të paktën momental, për Monzën, për Berluskonin dhe për Galianin, që kanë plane të mëdha. Ish-kryeministri I Italisë, dhe ish-pronari e ish-presidenti I Milanit, bleu aksionet e klubit në 2018 për gati 3 milionë euro. Deri në 2019 shpenzoi 11 milionë euro të tjera, ndërsa në gusht 2020 u fol për 30 milionë euro investime, për të sjellë edhe lojtarë si Emanuele Ndoj (Shqipëria) nga Bresha, apo Xhovinko. Nuk ia dolën, por gjithsesi skuadra është e fortë për Serinë B. Themeluar në 1912, Monza kthehet në Serinë B pas 19 vitesh mungesë. Do të synojë Serinë A, ndërsa në 39 vjet në B nuk ia ka dalë kurrë.

Sfidanti.al