Anis Mehmeti vazhdon të shkëlqejë në Championship dhe të dërgojë mesazhe të qarta për Kombëtaren Shqiptare. Sulmuesi kuqezi ishte protagonist absolut në transfertën e Bristol City ndaj West Brom, e vlefshme për javën e 23-të të kampionatit, duke shënuar vetëm pas 4 minutash lojë një gol spektakolar nga distanca. Ndeshja e u mbyll me fitoren 2-1 të ekipit të shqiptarit.
Me një goditje të saktë dhe të fuqishme nga jashtë zone, Mehmeti konfirmoi formën e shkëlqyer që po kalon këtë sezon, duke arritur në kuotën e shtatë golave, të shoqëruar edhe nga 6 asistime. Një bilanc që e rendit atë ndër lojtarët më të rëndësishëm të Bristol City, skuadër që po lufton seriozisht për zonën play-off dhe synon ngjitjen në Premier League sezonin e ardhshëm.
Paraqitja e fundit e Mehmeti-t nuk është thjesht statistikë, por edhe një sinjal i fortë për trajnerin e Kombëtares, Sylvinho. Me vazhdimësinë, cilësinë teknike dhe peshën që ka në lojën e ekipit të tij, sulmuesi shqiptar po tregon se e meriton një ftesë për ndeshjet e Shqipërisë në muajin mars. Forma aktuale e bën kandidaturën e tij gjithnjë e më të vështirë për t’u injoruar.
Paralelisht me paraqitjet në fushë, emri i Anis Mehmetit është përfolur shumë edhe në merkato. Ditët e fundit ka pasur interes nga dy ekipe të Premier League, edhe pse deri tani gjithçka mbetet në nivel jozyrtar. Ajo që është e sigurt është se Mehmeti po rrit vlerën e tij nga java në javë.
Supergoli i radhës është dëshmi e qartë: Anis Mehmeti është gati për një hap tjetër të madh, si në nivel klubi, ashtu edhe me fanellën kuqezi.
sfidanti.al

